Zyrtarë amerikanë u kanë thënë agjencive Reuters dhe AP se Kerry dhe Zarif do të takohen përpara se sekretari amerikan të fluturojë drejt Arabisë Sudite për të ndjekur një samit me udhëheqësit e Gjirit Arab, së bashku me presidentin Barack Obama.
Zyrtarët nuk kanë qenë të autorizuar për të folur për planet e Kerryt publikisht dhe janë deklaruar në kushte anonimiteti.
Takimi Kerry-Zarif do të pasojë ankesat e zyrtarëve të lartë iranianë se Uashingtoni nuk është duke përmbushur kushtet e marrëveshjes bërthamore, në bazë të së cilës, Irani ka kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Uashingtoni thotë se i ka përmbushur obligimet e veta, porse është duke shqyrtuar rregullat financiare për tregti ligjore me Iranin.
Duke folur më 16 prill në Teheran, Zarif ka thënë se Irani do t’i bëjë presion SHBA-së për të lehtësuar kufizimet në bankat joamerikane që bëjnë biznes me Republikën Islamike.