Këshilli i Bashkimit Evropian tha të mërkurën se kishte miratuar këstin e tretë të ndihmës për Ukrainën në shumën prej 500 milionë euro, që e rrit ndihmën e përgjithshme në 1.5 miliardë euro.
“Me këto 500 milionë euro shtesë të reja, BE-ja ka ndarë një total prej 1.5 miliardë eurosh për të mbështetur furnizimet e Shteteve Anëtare të BE-së me pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare. […] Është vendimtare se ne vazhdojmë dhe shtojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën për të mbrojtur territorin dhe popullsinë e saj”, tha në një deklaratë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili inicioi fondet shtesë, raporton interfax, transmeton Insajderi
Masat e dakorduara do të financojnë sigurimin e furnizimeve nga shtetet anëtare të BE-së, duke përfshirë pajisje mbrojtëse personale, pajisje të ndihmës së parë dhe karburant, si dhe pajisje ushtarake të dizajnuara për të ofruar forcë vdekjeprurëse për qëllime mbrojtëse, tha ai.
Kohëzgjatja e masave të ndihmës zgjatet edhe me 24 muaj, thuhet në deklaratë.
Këshilli vuri në dukje se masat e mëparshme të ndihmës janë rënë dakord më 28 shkurt dhe 23 mars 2022.