Këshilli i Evropës konfirmon aplikimin e Kosovës për anëtarësim - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Këshilli i Evropës konfirmon aplikimin e Kosovës për anëtarësim

    Insajderi
    12 May 2022 - 13:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kosova sot zyrtarisht ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.

    Pas miratimit nga ana e Qeverisë së Kosovës të nismës për anëtarësim, kërkesën në Këshill të Evropës e ka dorëzuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Ministrja ka theksuar se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill të Evropës.

    E nga Këshilli i Evropës kanë konfirmuar për Telegrafin se tashmë kanë pranuar aplikimin e Kosovës.

    Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti po i dërgohet Komitetit të Ministrave.

    “Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i dërgohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë Holgten për Telegrafin.

    Ministrja Gërvalla ka treguar se shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror.

    Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

    Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

    Procedurat kërkojnë që një shtet anëtarë i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.

    Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

    Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark