Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot një takim në të cilën ndër të tjerash është shqyrtuar dhe aprovuar rregullorja për Njësinë Ndërlidhëse për Përgjime.
Kjo Rregullore përcakton funksionimin e Njësisë Ndërlidhëse për Përgjimet në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe procedurat në procesin e përgjimit ligjor, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve për zbatimin e procedurës së përgjimit duke u mbështetur në standarde të larta profesionale dhe në zbatimin me sukses të masave të fshehta të përgjimit.
Po ashtu, në këtë mbledhje, Anëtarët e KPK-së, themeluan Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit dhe të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Anëtarët, vendosën që kryetar i këtij komisioni të jetë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndërkaq, për anëtarë, u caktuan prokurorët, Lulzim Sylejmani dhe Haxhi Sinanaj.
Po ashtu, siç njoftohet përmes një komunikatë për media, u mor vendim që prokurorit, Abdurrahim Islamit, t’i vazhdohet mandati edhe për gjashtë muaj për prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.