Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bilimi, ka thënë se zëdhënësi i BE-së nuk ka njohuri për procesin e dialogut.
“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, ka shkruar Kadiu, transmeton Gazeta Insajderi.
Ai këtë koment e ka bërë pasi Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar Ekipin Menaxhues për themelimin e Asociacionit, duke thënë se “nuk është në kundërshtim me marrëveshjen”.
“Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, tha ai, shkruan Gazeta Insajderi.
Ky shkrim i Kadiut është mbështetur me një LIKE, edhe nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Më poshtë shkrimi i tij i plotë:
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.
Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës.
Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si përshëmbull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes.
Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik.