Një javë pasi është shkarkuar nga posti i Këshilltarit të Kryeministrit Albin Kurti, Edison Beqiri është rikthyer si zyrtar në Komunën e Dragashit. Ai është punësuar në zyrën për Komunitete dhe Kthim, pozitë kjo që ka ushtruar para se të emërohet si këshilltar për Komunitet në Qeverinë Kurti. Me 1 shkurt, Edison Beqiri ishte shkarkuar nga pozita e këshilltarit të Kurtit pasi në u bë lajm fotografia e tij në një ndejë mes zyrtarëve të komunës paralele që funksiononte në Dragash. Kryetari i Dragashit, Behxhet Xheladini tregon për Insajderin se përse e riktheu në punë Edison Beqirin.
Me 26 janar të 2024’të, Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kishte publikuar një video për të treguar se si atë ditë ishin mbyllur 4 komuna që kanë operuar ilegalisht në fshatin Vranisht të Dragashit.
Në videon e publikuar shfaqet një fotografi e zyrtarëve të këtij institucioni ilegal. Pjesë e fotografisë është edhe ish-këshilltari i Kurtit, Edison Beqiri. Ai u shkarkua pasi lajmi u bë mediatik.
Me 7 shkurt, Beqiri është rahatuar si zyrtar në Komunën e Dragashit. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Dragashit, Behxhet Xheladini.
Në një prononcim për Insajderin, Xheladini tha se nuk pa pasur asnjë ndalesë për mos emërimin e tij. Ai thotë se e ka rikthyer në punë pasi në vendimin e qeverisë nuk ceket arsyeja e largimit.
Tutje, sipas kryetarit të Dragashit, Kurti e ka ditur se i cilave struktura është edhe para se t’a merrte si këshilltar në Qeveri.
“Me sa e di unë në vendim të kryeminsitri nuk thuhet se ai nuk guxon me punu. Ai më herët ka qenë i punësuar në Dragash më vendim të përhershëm, pastaj kur është formuar qeveria Kurti e ka marr atë këshilltar për komunitete dhe e ka ditë se i cilave struktura është. Deri kur iu ka dashtë e ka mbajt tash nuk po i duhet e ka largu prej [punës. Ai me ligj ka të drejt me u kthy në vendin e më parshëm të punës”, u shpreh Xheladini për Insajderin.
Kryetari i Dragashit e ka kritikuar vendimin e Kurtit sepse sipas tij, nuk mund të largohet dikush nga puna vetëm për një fotografi.
“Albin Kurti e ka mbajt ata tri vjet në qeveri, une nuk e di a është pjesë e strukturave. Nuk mundët me largu prej punës vetëm për një fotografi. Në vendim të qeverisë nuk është cekur se është larguar për këtë arsuye. Nëse gjykata e bjen ndojnë vendim për të unë e shkarkoj nga puna”, tha tutje ai.
Xheladini sqaron se fotografia e përdorur në këtë rast është realizuar në vitin 2019 në një dark private e personale. Sipas tij fotografia është realizuar në restorantin “Pallma” në Dragash.
Kryeministri Albin Kurti, përmes një vendimi, kishte liruar nga posti këshilltarin e tij nga komunitetet joshumicë Edison Beqiri.
Në vendimin të cilin e ka siguruar Insajderi nuk bëhen të ditura arsyet.
/Insajderi.org/