Autoritetet në Prishtinë thonë se pengesat e bëra nga Serbia janë faktori kryesor i mospranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në institucionet evropiane. Krahas mospranimit nga pesë vendet e BE-së, bllokimi i Kosovës nga Serbia i ka pamundësuar asaj të jetë pjesë e një numri organizatash jo vetëm rajonale, por dhe më gjerë.
Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë, se me pengesën që Serbia i bën Kosovës po shkel parimet themelore të anëtarësimit në BE.
“Qasja e Serbisë është plotësisht e papranueshme. Është një qasje politikisht delikuente dhe shumë e rrezikshme sa i takon sigurisë dhe paqes në rajon. Dhe për sa i përket plotësimit të njërës nga kushtet që vlen edhe për Serbinë, normalizimi i raporteve me fqinjët është si premisë për t’i shpejtuar hapat drejt integrimeve evropian”, tha Abdullahu.
Problemet me anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare janë theksuar posaçërisht me faktin e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe kundërshtimit të fuqishëm të Serbisë në organizata ku ajo mund të ketë ndikim më të madh.
Megjithëse ishte paralajmëruar prej vitesh anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, Kosova mbeti ende jashtë tij, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së votave të mjaftueshme. Aplikimi në këtë institucion evropian nuk është bërë, sado që autoritetet në Prishtinë e patën paralajmëruar vite më parë.
Abdullahu thotë arsyet pse Kosova deri me tash nuk ka aplikuar në ketë mekanizëm janë të ndryshme.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet, por ajo çka mund të thuhet konkretisht është se ne kemi raporte të mira me Këshillin e Evropës. Nuk besoj se në të ardhmen e afërt do të jetë pengesë e madhe edhe tejkalimi i atyre sfidave që të njihemi edhe nga Këshilli i Evropës”, tha Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.
Anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, dy organizatat botërore të sportit, duket sikur kanë thyer mitin e mospranimit të Kosovës në botë.
Për qeverinë, Kosova ka ecur në drejtim të njohjes së saj në botë, por për opozitën, vendi nuk ka arritur të ndryshojë qasjen e institucioneve ndërkombëtare karshi tij. /Insajderi.com