Gent Zeqiri, këshilltar politik i Liburn Aliut në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka qenë “kampion i shpenzimeve” në udhëtime përbrenda vitit 2023. Ai ka shpenzime më shumë sesa Aliu e numri dy i tij, Hysen Durmishi, bashkë. Gazeta Insajderi iu sjell të dhëna nga shpenzimet e stafit të ministrisë së MMPHI-së:
4,807 euro është shifra që ka shpenzuar nga janari deri në tetor të këtij viti këshilltari politik i Aliut. Shpenzimet më të mëdha Zeqiri i ka pasur gjatë muajit shkurt, ku ka harxhuar 2,521 euro dhe në muajin qershor, 1,048 euro.
Në muajin shkurt shpenzime të përafërta ka pasur edhe ish-zëvendësministrja Linda Cavderbasha, e cila ka shpenzuar 2,285 euro në udhëtim përgjatë këtij muaji.
Ndërkaq, vetë ministri ka pasur shpenzime prej 2,973 eurosh përbrenda të njëjtit afat kohor për udhëtime.
Në anën tjetër, zëvendësministri Hysen Durmishi ka të shpenzuara në total prej 493.87 eurosh.
Zëvendësministri tjetër, Jeton Zogiani, i ka të harxhuara 824,86 euro në udhëtime.
Kështu figuron në të dhënat që ka dërguar në adresë të Gazetës Insajderi MMPHI-ja, pasi iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës për qasje në shpenzimet jashtë vendit.
Në total, deri më tani, kjo ministri ka shpenzuar 18,902 euro vetëm në udhëtime.
Tek pjesa e akomodimit shpenzime më së shumti ka ministri Aliu. Vetëm atij përbrenda një muaj i janë dashur 4,313 euro për t’u akomoduar. Në total, ai ka shpenzuar 4,876 euro.
Para nga buxheti i Kosovës për të paguar për akomodim ka shpenzuar edhe shoferi i ministrit, Pleurat Thaçi, 70.48 euro.
Totali i shpenzimeve për akomodim për periudhën janar-tetor në këtë ministri është 5,962 euro.
Shpenzime më së shumti për dreka zyrtare në MMPHI ka pasur Liburn Aliu, i cili i ka harxhuar 2,634 euro përbrenda periudhës janar-shtator.
Pas tij vjen Hysen Durmishi, që nga buxheti ka marrë 1,740 euro për dreka zyrtare.
Totali i tërë shpenzimeve për dreka zyrtare nga kjo ministri është 5.127 euro. /Insajderi.org/