Walid Phares, një nga këshilltarët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në një analizë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë se e njëjta e drejtë duhet t’i jepet edhe serbëve të Bosnjës.
Në një analizë të publikuar në vitin 2007 në sajtin amerikan Americanthinker.com, Phares shtron pyetjen se përse shqiptarët kanë arritur të krijojnë shtetin e Kosovës nga ndihma e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa serbëve të Bosnjës iu ka mohuar kjo e drejtë.
Sipas Walid Phares, “serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë përbëjnë më shumë se 31% të popullsisë, ndërsa shqiptarët përbënin vetëm 14% të shtetit të Serbisë, dhe në fund e drejta e serbëve të Bosnjës për të formuar shtetin e tyre është mohuar.”
Phares, në analizën e tij, pak muaj para se Kosova ta shpallte pavarësinë e saj, paralajmëronte shtetet perëndimore që të jenë të gatshme për pasoja në rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore, menjëherë e njohu të drejtën e ndarjes për të dy republikave separatiste[Kosovën dhe Bosnjën], por në të njëjtën kohë kundërshtuan të njëjtën të drejtë për vetëvendosje për pakicat kombëtare serbe në këto dy vende të sapo njohura”, shkruante Phares në analizën e tij në vitin 2007.
Phares është njëri nga këshilltarët për Politika të Jashtme të presidentit amerikan, Donald Trump. Ai më parë ka mbajtur të njëjtën pozitë edhe në stafin e kandidatit republikan në zgjedhjet presidenciale, Mitt Romney, në vitin 2012. /Insajderi.com