Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të tre personave për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurorim publik dhe falsifikim të dokumenteve.
G.P., S.S., B.S., si persona përgjegjës në kuadër të personave juridik akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” në tenderin “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.
Gazeta Insajderi mëson se tre biznesmenët e arrestuar janë Gent Pupa, Sahin Skeya dhe Bekim Syla.
Gent Pupa dhe Sahin Skeya, nga Prizreni janë pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K. kurse Bekim Syla nga Prishtina është pronar i kompanisë “Cons ENG”, shkruan Insajderi.
Që të tre këta biznesmen dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milionë euro.
Sipas aktakuzës, Gent Pupa dhe Sahin Skeya, afaristë nga Prizreni, kanë shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertimit për tenderin e vlefshëm 1.3 milion euro. Që të dy këta biznesmen akuzohen se kanë paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë tender.
“Me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 €uro”, thuhet në aktakuzë.
Ndërkaq, më 26 qershor 2020 Bekim Syla dyshohet se si drejtor i kompanisë “CONS ENG”, i ka lëshuar një faturë fiktive firmës private që përfitoi tenderin milionësh të Komunës së Prizrenit.
“Po ashtu, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronarë dhe persona përgjegjës të personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dije përdorin dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.S., si pronar i personin juridik, ku ky i pandehur iu lëshon faturën e datës 01.05.2020 me përmbajtje të rreme”, thuhet në aktakuzë.
Me këto veprime, Pupa, Skeya dhe Syla ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas Kodit Penal.
Me këto veprime, i pandehuri B.S., ngarkohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas Kodit Penal.
Me këto veprime, B.S., ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së.
Keqpërdorimet e dyshuara në këtë aktivitet të prokurimit publik u raportuan nga Organizata jo-qeveritare, AVONET, vitin e kaluar.
Siç raportoi AVONET-i, Komuna e Prizrenit i dha operatorit ekonomik “NABS” Sh.P.K. kontratë me vlerë 1,394.853.90 euro, me dokumente fiktive në procesin e instalimit të ndriçimit publik në këtë komunë./Insajderi.org