
Nënkoloneli, Nexhat Gutiq dhe kapiteni, Tunë Preka janë dy zyrtarët policorë nga Peja që tashmë ndodhen në mbajtje për 48 orë dhe janë të suspenduar përkohësisht nga detyra.
Dyshimet që rëndojnë mbi ta lidhen me një ndërhyrje të paautorizuar në një rast policor, ku, sipas Prokurorisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, ata kanë shmangur ndjekjen penale të një qytetari duke e trajtuar çështjen në mënyrë të pavarur dhe jashtë procedurave të përcaktuara ligjore.
Rasti ka të bëjë me një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë. Gjatë këqyrjes së një aksidenti trafiku, policia kishte shoqëruar një qytetar që dyshohet se kishte penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës. Në vend që rasti të procedohej sipas rrugës ligjore dhe të njoftohej Prokuroria, siç parashohin procedurat standarde, Gutiq dhe Preka dyshohet se kanë ndërhyrë dhe i kanë shqiptuar qytetarit vetëm një gjobë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike – pa nisur asnjë procedurë hetimore dhe pa përfshirë organet kompetente.
Kjo ndërhyrje ka ngritur shqetësime serioze për tejkalim të kompetencave dhe shmangie të detyrimeve ligjore që lidhen me raportimin e rasteve penale.
Për Insajderin, Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, konfirmoi se veprimet ndaj dy zyrtarëve erdhën pas informacioneve të pranuara nga media.
“Prokuroria Themelore në Pejë, pas pranimit të informatave nga një medium lidhur me këtë çështje, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj personave që mund të jenë të përfshirë në elemente të veprave penale.
Pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe Inspektoriatit Policor të Kosovës, dy zyrtarë policorë, pas intervistimit si të dyshuar për kryerje të veprave penale, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar fillimisht për 48 orë.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale. Prokuroria Themelore e Pejës, njëkohësisht, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë çështje penale deri në ndriçimin e plotë të saj,” deklaroi Disha-Haxhosaj.