×
  • Lajme
  • Analiza

    Këta janë gjashtë zyrtarët e akuzuar për 21 vepra penale në Istog, Insajderi sjell detajet

    Insajderi
    09 September 2022 - 19:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë zyrtarëve komunalë të komunës se Istogut. Të njëjtit akuzohen për 21 vepra nga kapitulli i veprave penale të korrupsionit, shkruan Insajderi.

    Bazuar në aktakuzën e proceduar prej Prokurorisë, nga provat e grumbulluara gjatë hetimit njëvjeçar, ka dyshim të bazuar se zyrtarët e pandehur përgjatë ushtrimit të detyrës në 21 raste kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

    Një hulumtim i Insajderit gjen se këta janë të akuzuarit për 21 vepra penale në komunën e Istogut:

    Jashar Blakaj (ish drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis)

    Rrustem Gashi (zyrtar për Planifikim Hapësinor dhe Ndërtim)

    Besart Dreshaj (ish drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis)

    Isa Hoxha (ish drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis)

    Elfete Blakaj (përgjegjëse për mjedis)

    Rexhep Blakaj (udhëheqës i sektorit për planifikim dhe rregullim urban)

    Gazeta Insajderi ju sjell detajet:

    Jashar Blakaj

    Ish drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, Jashar Blakaj, figuron në listën e personave të akuzuar për plotë 21 vepra penale.

    Por, kjo nuk është hera e parë që Blakaj përballet me ligjin.

    Ai në vitin 2021 ishte arrestuar nga policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    “Jashar Blakaj, Rexhep Blakaj dhe Elfete Blakaj janë të arrestuarit në aksionin e sotëm në Istog.

    Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet opinionit publik me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme për rezultatet dhe veprimet e ndërmarra”, thuhej në deklaratën e prokurorisë atëkohë.

    Gjykata Themelore në Pejë, më 13 gusht njoftoi se ia ka vazhuar edhe për dy muaj të tjerë masën e arrestit shtëpiak, Drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut, Jashar Blakaj.

    Rrustem Gashi

    Rrustem Gashi i cili në komunën e Istogut ka shërbyer si zyrtar për Planifikim Hapësinor dhe Ndërtim, ishte arrestuar fillimisht më 15 korrik të vitit të kaluar.

    Gashi ka rënë atëkohë në prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas raportimit të mediave atëkohë, policia kishte rrethuar me shirita edhe zyrën e tij, pasi i njëjti nuk ishte gjetur aty.

    Më 13 gusht të vitit 2021, Gjykata Themelore në Pejë njoftoi se ia ka vazhuar edhe për dy muaj të tjerë masën e arrestit shtëpiak, Gashit.

    Gashi, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal ka lëshuar lejen ndërtimore për ndërtim.

    Atë ditë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj ka dhënë detaje rreth aksionit që kanë zhvilluar në komunën e Istogut, të Pejës dhe Klinës.

    “Kjo iniciative ka rrjedhe prej meje, pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtimet pa leje që janë duke u lejuar në Klinë, Deçan, Pejë, Junik dhe Istog. Unë si kryeprokuror kam caktuar pesë prokurorë që janë marrë me rastin. Kemi bastisur tri komuna, Pejë, Klinë Istog,  10 janë arrestuar, disa prej tyre drejtorë, nën dyshimet se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të pozitës zyrtare”, deklaroi ai në një konferencë për media.

    Ndërkaq më 7 shtator të këtij viti, Gashi përsëri gjendet në listën e përbërë edhe nga pesë zyrtarë të tjerë për të cilët Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë për 21 vepra nga kapitulli i veprave penale të korrupsionit.

    Besart Dreshaj

    Ish-drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog, Besart Dreshaj, gjithashtu akuzohet për Keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

    Në aksionin e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë vitin e kaluar, Dreshaj, ndryshe nga Jashari dhe Gashi nuk ishte arrestuar.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Dreshajn për detajet mbi aktakuzën që Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur pak ditë më parë, por, i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e tekstit.

    Isa Hoxha

    Ish-drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, Isa Hoxha, gjithashtu një nga të akuzuarit për kryerje të veprave penale.

    Elfete Blakaj

    Elfete Blakaj, përgjegjëse për mjedis, gjithashtu figuron në dosjen e Prokurorisë.

    Elfetja ishte arrestuar edhe mëherët, bashkë me Jashar Blakaj dhe Rexhep Blakaj.

    Prokuroria përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, kanë qenë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

    Rexhep Blakaj

    I arrestuar edhe në vitin 2021, Rexhep Blakaj, është pjesë e emrave të përmendur nga prokuroria mbi të cilët është ngritur aktakuzë.

    Sikurse Jashar Blakaj dhe Rrustem Gashi, edhe Rexhepi ishte arrestuar në vitin 2021, nga Prokuroria e Pejës dyshohej se në bashkëkryerje kanë kryer keqpërdorim të detyrës zyrtare në lëshimin e lejeve ndërtimore.  

    Sikurse dy emrave të lartë përmendur edhe Rexhep Blakajt, Gjykata Themelore në Pejë atëkohë ia kishte vazhuar edhe për dy muaj të tjerë masën e arrestit shtëpiak.

    Betimi për Drejtësi kishte raportuar se J.B, RR.G dhe R.B, me datat 16.10.2020, 28.09.2020 e gjerë më datën 04.11.2020 si dhe me datë 14.12.2020 në objektin e K.I, dyshohet se duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri J në cilësinë e drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis, ndërsa të pandehurit RR dhe R, në cilësi te zyrtarëve pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal lëshojnë lejen ndërtimore për ndërtim, në atë mënyrë që të pandehurit duke qenë në dijeni se ngastra kadastrale për të cilën është parashtruar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore nga investitorët ndodhen në bllokun ku sipas planit zhvillimor është paraparë ndërtimi me etazhitet të caktuar, me rastin e lëshimit te lejes ndërtimore konstatojnë se kinse ngastrat kadastrale ndodhen në bllokun tjetër dhe me këtë veprim investitorëve i’u lejojnë ndërtimin me etazhitet më të lartë dhe i’a mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.

    Me çka, në bashkëveprim kishin për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark