Votimi për rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës ka dështuar edhe në raundin e tretë.
Asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar shumicën e votave, dhe kjo ka bërë që kështu konkursi për rektor të UP’së të shkon në rishpallje.
Kandidatët për rektor të UP’së ishin: Isak Shabani, But Dedaj, Sefer Avdijaj dhe Faton Berisha.
Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.
Ndërsa But Dedaj është profesor në Fakultetin Ekonomik të UP-së.
Konkurrenti i tretë Sefer Avdiaj është prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion. Avdiaj është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP, në departamentin e Fizikës.
Kandidati tjetër Faton Berisha është prorektor për personel akademik, integritet dhe botime. Edhe Berisha është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP.
Avdiaj dhe Dedaj kishin kandiduar për pozitën e rektorit edhe në vitin 2022, kur u zgjodh rektori aktual i UP-së, Qerim Qerimi.
Rektori aktual Qerim Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.
Kriteret e konkursit ishin që kandidati nuk duhet të ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo listë zgjedhore në nivel qendror e lokal në tri vitet e fundit. Po ashtu si kriter është kërkuar që të ketë përvojë të dëshmuar akademike, kërkime shkencore dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt; apo të ketë përvojë të dëshmuar menaxhuese universitare.