
Lidhur me keqpërdorimet e mijëra eurove siç pretendon sinjalizuesi, Alban Pozhegu kanë qenë në dijeni edhe ministrat e Shëndetësisë. Duke filluar nga Uran Ismaili, Arben Vitia e Armend Zemaj e sekretari Naim Bardiqi.
Këto komente Pozhegu i dha për InDoks.
“Prej fillimit siç e ceka edhe më herët ka qenë i njoftuar ministri, Uran Ismaili kur ka fillu qekjo parregullsi dhe Naim Bardqi pastaj ka vazhdu me u ndrru qeveritë, Arben Vitija ka qenë i njoftuar edhe Armend Zemaj prapë ka qenë i njoftuar Arben Vitia. Pas vitit 2017-të e këndej e kanë ditë”, deklaroi ai.
Ai përmend edhe ish-ministrin Rrahmani.
“Kur kam qenë unë ushtrues detyre një kohë të shkurt si Drejtor i Prokurimit, Imet Rrahmani atëkohë, p.sh ka qenë një kontratë për teknologji informative bash për Fond, më ka kuptuar, e ka parë që nuk është në rregullu”, shpreh Pozhegu.
Derisa Pozhegu përmend krejt ministrat e zyrtarë të tjerë që e dinin për keqpërdorimet që ai denoncoi, ai ka vazhduar në intervistën për InDoks të flas edhe për raste konkrete.
Derisa në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës tentojnë ta shpërfillin sinjalizuesin Alban Pozhegu, Ministri aktual i Shëndetësisë, Rifat Latifi nuk e ka përjashtuar futjen e Prokurorisë në punë kur bëhet fjalë për dyshimet që janë ngritur në këtë institucion. Ndryshimin e bordit të tij e sheh të pashmangshëm. Ai ka denoncuar vet se ka parë që afër Fondit ka, siç e quan ai, dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve.
“Nëse ka keqpërdorime me këtë, organet përkatëse do të merren me këtë. Ne jemi në fazën e përgatitjes të të gjitha informatave që po i marrim prej qytetarëve, prej deputetëve dhe me këtë çështje do të merren organet e drejtësisë përkatëse. Bordi i Fondit do të ketë ndryshime serioze dhe të duhura, nëse dikush e ka thyer ligjin. Nëse dikush e ka keqpërdorur pozitën, atëherë do të ketë pasoja. Për llogarinë time, unë jam tmerruar, kur kam shkuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore e në oborr të Fondit janë dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve për t’i dërguar jashtë vendit”, ka thënë ministri.
Ndiqeni rrëfimin e plotë të Alban Pozhegut:
InDoks | Fondi i Dallavereve – Rrëfimi ekskluziv i sinjalizuesit Alban Pozhegu