Dy persona dyshohet për vrasjen e 37 vjeçarit, dje në Gjilan. Të dy vazhdojnë të jenë në arrati. Sipas raportimeve të mediave, ata janë Valmir Salihu (1998) i njohur me nofkën “TITA” dhe Florian Mitev (1998).
Në raportin 24 orësh të Policisë vetëm thuhet se janë kontrolluar disa lagje të qytetit përfshirë edhe dy shtëpi.
“VRASJE – Gjilan / 07.11.2024 – 13:50. Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, ku me vendim të prokurorit janë kontrolluar disa lagje të qytetit përfshirë edhe dy shtëpi. Në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, prokurori dhe zyrtarët nga IML”, thuhet në raport.
Mediat mbrëmë kanë raportuar se të njëjtit mund të jenë të armatosur.
Për rastin është deklaruar dje edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri dhe me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës – Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, në mënyrë që të identifikohen personat e dyshuar. Për të gjitha veprimet e tjera do të jeni të njoftuar me kohë!”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.