Këta janë titujt e mediave në Bosnjë pasi Shqipëria nuk e kaloi rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Këta janë titujt e mediave në Bosnjë pasi Shqipëria nuk e kaloi rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë

    Insajderi
    12 May 2022 - 17:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    51 deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë kanë votuar kundër rezolutës që dënon krimet dhe gjenocidin serb në Srebrenicë e cila u propozua nga deputetët mbështetës të Sali Berishës. Mosvotimi i kësaj rezolute ka bërë jehonë në mediat boshnjake shkruan Gazeta Express.

    Mosmiratimit të kësaj rezolute nga ana e parlamentit të Shqipërisë i kanë dhënë jehonë mediat boshnjake.

    Mediumet si radiosarajveo, klix.ba e ba.n1 kanë raportuar për mosvotimin e rezolutës dhe përplasjes së deputetëve socialistë me ish-kryeministrin Sali Berisha.

    Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar të enjten kërkesën e një deputeti të opozitës për të shqyrtuar dhe mbështetur një rezolutë që dënon krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid.

    Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu u hodh poshtë nga votat e deputetëve të Partisë Socialiste, që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.

    Shehu tha para deputetëve se refuzimi i Kuvendit të Shqipërisë ta dënojë gjenocidin serb në Srebrenicë dhe ta detyrojë Serbinë që të njohë krimet e saj “është vepër e shëmtuar, një shfaqje paprecedent, një shfaqje turpi.”

    Propozimi për rezolutë për ta njohur Srebrenicën si gjenocid të kryer nga forcat serbe dhe hedhja poshtë e propozimit u bë shkas për një përplasje të radhës mes deputetëve të Partisë Demokratike në opozitë dhe Partisë Socialiste në pushtet, të cilët nga foltorja e Kuvendit shkëmbyen akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit në raport me qëndrimet ndaj luftës në Bosnje e Hercegovinë.

    Ish Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha akuzoi udhëheqësit e Shqipërisë për “marrëdhëniet miqësore” me Presidentin e Serbisë AleksandarVuçiq, të cilin e quajti “frymëzues të gjenocidit serb, një Putin i vogël, i gatshëm ta përsërisë atë në çdo kohë.”

    Deputeti socialist Taulant Balla theksoi që Shqipëria ka njohur tragjedinë në Bosnjë dhe akuzoi Berishën, i cili atëbotë ishte president i Shqipërisë, për rolin që Shqipëria ka luajtur karshi luftërave në ish-Jugosllavi.

    “Është e pakuptueshme që një njeri që është i vetmi në këtë sallë që ka përgjegjësi direkte të turpit që ka marrë Shqipëria e asaj kohe,” tha Balla. “Gjenocidi serb është ushqyer me naftën prej teje, Sali.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark