Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi është shprehur i bindur se viti 2024-ta do të jetë vit zgjedhor. Ndërkohë këtë deklaratë e ka komentuar deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bjaqinovci, raporton Insajderi.
Bajqinovci thotë se partitë opozitare këtë punë e kanë.
“Partitë opozitare për çdo vit kërkojnë zgjedhje të reja. Si opozitë këtë punë e kanë. Me kalendar, zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen në vitin tjetër“, tha ai.
Madje, Bajqinovci shprehet se zgjedhjet e ardhshme do t’ia theksojnë opozitës se rezultatet e vitit 2021 nuk kanë qenë aksident.
“Të gjithë i kemi parë sondazhet e fundit kur LVV del e para me rreth 50%, pa e llogaritur votën e mërgatës. Pra mbështetja për LVV edhe pas 3 vjetëve qeverisje vazhdon të jetë e lartë. Për një gjë jam i sigurt: zgjedhjet e ardhshme do t’ia dëshmojnë opozitës se rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021 nuk kanë qenë aksident, siç kanë dëshirë të thonë shpeshherë, por mesazh i qartë nga populli për ta. Mesazh që për fatin e tyre të keq nuk e kanë lexuar siç duhet asnjëra, asnjëherë“, tha Bajqinovci për Insajderin.