Vazhdon fluksi i pushuesve nga Kosova që zgjedhin Shqipërinë për pushime verore. Vetëm mëngjesin e së premtes kanë hyrë në Shqipëri rreth 12 mijë shtetas të Kosovës me rreth 3 mijë automjete të vogla dhe autobusë. Policia kufitare po punon me kapacitete maksimale ndërsa pritja në pikën e fluksit është deri në 20 minuta.
Në Shqipëri tashmë ka filluar zyrtarisht sezoni turistik ndërsa edhe këtë të premte në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan fluks i lartë i udhëtarëve nga Kosova dhe vendet e tjera rë rajonit.
Në muajin qershor numri i udhëtarëve në hyrje-dalje është mbi 700 mijë thotë komandanti i pikës kufitare Arbër Telaku.
Megjithëse është punuar me procedurë të përshpejtuar dhe me kapacitete të plota ka qenë e pamundur shmangia e radhëve por pritjet nuk kanë qenë të gjata.
Duke qenë se viti 2020 ishte një vit pandemik dhe nuk kishte fluks të madh në kalimin kufitar të Vërmicës, këtë vit shifrat janë krahasuar me vitin 2019 duke rezultuar se në të njëjtën periudhë kohore janë regjistruar 400 mijë udhëtarë më shumë./rtk