Në New York nuk jepen licenca të reja për automjetet e Uber dhe kompanive të ngjashme që lejojnë pronarët e makinave private të bëjnë taksistin nëpërmjet aplikacionit mobil, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i qytetit të New Yorkut pas miratimit të projektligjit ka njoftuar se për 1 vit nuk do të jepen licenca për drejtuesit dhe automjetet e reja të Uber dhe kompanive të ngjashme që dëshirojnë të operojnë brenda New Yorkut.
Në deklaratën e bërë nga këshilli thuhet se brenda një viti krahas intensitetit të trafikut në qytet do të inspektohen edhe aktivitetet e Uber dhe kompanive të ngjashme, si dhe në kuadër të projektligjit është përcaktuar pagesa minimale për drejtuesit e Uber dhe taksive të verdha.
Në këtë mënyrë New Yorku është bërë qyteti i parë në SHBA që merr një vendim kundër Uber dhe kompanive të ngjashme.
Projektligji i cili pritet të nënshkruhet nga kryetari i bashkisë së New Yorkut, Bill de Blasio, parashikohet të hyjë në zbatim javën e ardhshme.
Ky vendim theksohet se është një fitore për taksistët e taksive të verdha që operojnë në New York, por kompanitë si Uber mbrojnë idenë e tyre se mos dhënia e licencave të reja do të shkaktojë rritjen e çmimeve për klientët.
Në New York ndodhen rreth 14 mijë taksi të verdha, ndërsa kompanitë si Uber operojnë me mbi 80 mijë automjete në qytet.