Anipse situata ishte e tensionuar, pati të shtëna me armë dhe u lënduan disa qytetarë, ngjarja në veri para dy ditëve nuk po cilësohet nga Qeveria Kurti si njëra ndër 5 ngjarjet kryesore të javës.
Përmes një fotografie të shpërndarë në Facebook nga zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu janë të listuara pesë ngjarjet kryesore të javës, e që në mesin e tyre nuk renditet hallakama në veri, ku si pasojë qindra mërgimtarë të Kosovës mbetën të bllokuar në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.
Ngjarja e parë kryesore sipas Qeverisë është: Nënshkrimi i marrëveshjes me vlerë 236.7 milionë dollarë në sektorin e energjisë. Pastaj vjen takimi që pati kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Po ashtu, përmendet edhe lansimi i programit nga MPJD për Diplomaci Qytetare.
Tjetër ngjarje kryesore sipas tyre është edhe nisja e ‘Karvanit të Diaspores’ dhe mbledhja e ATK-së së gjysmë milioni euro borxhe nga bizneset vetëm për një ditë.
Kujtojmë se si pasojë e tensioneve të krijuara në veri të vendit, zbatimi i masave për për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse në pikat kufitare me Serbinë u shtyen për 30 ditë.