Në Saudi Pro League nuk po flitet asgjë tjetër, pos për Cristiano Ronaldon.
Ylli portugez u ndëshkua me karton të Kuq në Superkupën e Arabisë pasi e goditi me bërryl lojtarin kundërshtar në tentim për ta rinisur më shpejt lojën derisa ekipi i tij, Al-Nassr ishte në disavantazh prej dy golash ndaj Al Hilal, i cili u kualifikua në finale pasi fitoi me rezultat 2:1.
Një karton i kuq që CR7 nuk e ka pritur mirë dhe e duartrokiti në mënyrë ironike gjyqtarin, të cilin desh e gjuajti me top dhe dukej sikur po donte që ta sulmonte pasi e përjashtoi nga loja.
Sipas “Al-Riyadiya”, Ronaldo do të dënohet me dy ndeshje moslojë dhe gjithashtu do të gjobitet me 20 mijë riyal, rreth 5.000 euro, përcjell “Gazeta Express”.
Natyrisht, ky nuk do të jetë një problem për pesë herë fituesin e Topit të Artë, i cili rrogën vjetore e ka 200 milionë euro.
Vlen të përmendet se ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit nuk po e kalon një periudhë pozitive pasi ai u rikthye së fundmi nga dënimi që e kishte marrë për shkak të gjestit josportiv që e kishte bërë ndaj tifozëve të Al Shabab, të cilët po e këndonin emrin e Messit në fillim të marsit, për ta provokuar dhe për ta shpërqendruar përfaqësuesin portugez.