Universiteti i Prishtinës, vetëm 3 ditë më parë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinjë.
Në njoftimin e UP-së, thuhej se në afatin e parë të konkursit pritet të pranohen rreth 5 mijë e 497 studentë.
“Për të gjithë të interesuarit, UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri më datë 19 korrik 2019”, thuhej në njoftimin e UP-së.
Në anën tjetër, profesori i Universitetit të Prishtinës, Blerim Rexha përmes një postimi në facebook ka treguar programet në të cilat studentët kanë shprehur më së shumti interes, shkruan Insajderi.
Drejtimi me më së shumti aplikues del të jetë “Mjekësi e Përgjithshme”, me gjithësej 888 studentë të interesuar për studimin e kësaj fushe.
Në vendin e dytë radhitet drejtimi “Juridik”, ku numri i studentëve që kanë aplikuar është 421. Kurse vendin e tretë për nga aplikimi i sudentëve e zë drejtimi “Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike”, ku numri i aplikuesve në vetëm 3 ditë është 402.
Drejtimet më të pëlqyera nga studentët pas 3 të parave janë Infermieria, Psikologjia, Stomatologjia, Arkitektura, Edukimi Fillor, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, dhe Gjuha Gjermane.
Sipas profesorit Rexha i cili dikur ishte edhe ish-kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha, duke parë interesin e studentëve për këto drejtime, universiteti dhe politikbërësit duhet të reflektojnë ndaj kërkesave për rritje në regjistrim, shkruan Insajderi.
” Dhe duke i pa këto kërkesa universiteti dhe politikbërësit duhet patjetër të reflektojnë ndaj kërkesave në rritje për regjistrim. Dhe nuk ka asnjë arsye që të mos iu plotësojmë dëshirën fëmijëve tanë. Ardhmëria e tyre është brenga dhe obligimi jonë. Suksese te gjithë aplikuesve”, ka shkruar Rexha në facebook.