Prokuroria Speciale në Hagë po i akuzon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Amer Alija nga Fondi i të Drejtës Humanitare pos që tregon që nga ajo që ka parë ajo, akuzat nuk janë drejt krejt UÇK-së si organizatë, tregon se si nga përvoja e Tribunaleve, tashmë kjo lloj akuze ka avancuar dhe është ndarë edhe në lloje varësisht nga veprimet e përgjegjësitë.
Përmend tri kategori të saj.
“Kjo ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ kryesisht është përdorur tek Tribunali i Hagës dhe më shumë është zhvilluar kjo forma e përgjegjësisë tek ky tribunal, tani aq shumë është zhvilluar sa që është ndarë në 3 kategori, e kemi ndërmarrje kriminale themelore ku e kemi qëllimin e përbashkët të krejt grupit, ta marrë një shembull – qëllimi i përbashkët p.sh tek kategoria themelore është kur edhe eprori edhe vartësit e kanë qëllim që ta pastrojnë le të themi etnikisht Kosovën dhe ai është qëllimi primar dhe qëllimi kryesor, pra është kategori themelore. Pastaj e kemi kategorinë sistematike, ka të bëjë më shumë me qendrat e ndalimit, maltretimi i të ndaluarve e të tjera dhe ndërmarrje e përbashkët kriminale e zgjeruar kemi të bëjmë me devijim nga ndërmarrja e parë p.sh urdhri ka qenë që të bëhet spastrimi por aty-këtu ndonjë ushtarë ka bërë ndonjë vrasje, ndonjë dhunim atëherë e kemi të bëjmë me ndërmarrjen e kategorisë së tretë”, ka thënë Alija për InDoks.
Ndërkohë, ai tregon që në praktikat e Tribunaleve akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk është aspak e re.
Madje është tejet e zakonshme.
“Po ndërmarrjet e përbashkët kriminale, gati gjithë krerëve të cilët janë dënuar ish-eprorët e RFJ-së e Serbisë pra 6 persona të cilët janë dënuar nga Tribunali i HAGËS po ashtu janë akuzuar me këtë përgjegjësi (ndërmarrje e përbashkët kriminale) dhe gati të gjithë ata janë dënuar për këtë formë të përgjegjësisë penale. Po ashtu i kemi pasur edhe nga misionet ndërkombëtarë dy raste ku në aktakuzat e tyre janë përfshi ndërmarrje të përbashkët kriminale, nëse nuk gabohem ka qenë edhe tek grupi i Llapit edhe tek rasti i Selimit Krasniqit dhe të tjerët. Por, tek jo ndërmarrje e përbashkët kriminale unë e kam analizuar këtë procese po e vërej që e kemi një mangësi pak tek disa prokurori për arsye se nuk e kategorizojnë në aktakuzë se cilës kategori i ndërmarrjes së përbashkët kriminale i takojnë ky apo ai grup për arsye se qëllimi dallon me secilën ndërmarrje”, u shpreh monitoruesi i FHD-së.
Kur flitet për vetë akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale për krerët e UÇK-së, kishte shprehur dyshimet e saja edhe vet Prokuroria që ndoqi Sllobodan Millosheviçin.
“Nuk mund të krahasohen krimet e forcave të Millosheviçit me ato të UÇK-së. Ky është një gabim i madh nga ana e atyre që përgatitën këtë aktakuzë”, kishte deklaruar Del Ponte për një medium zviceran.
Lidhur me shprehjen “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në aktakuzë, ajo kishte thënë që atë e sheh si diçka të ekzagjeruar. “Dhe unë gjithashtu dyshoj si ju, nëse ata që e përpiluan këtë aktakuzë i bënë “copy-past”, aktakuzës kundër Millosheviçit dhe kjo gjë nuk është e drejtë”, kishte thënë Del Ponte.
Dokumentari i plotë InDoks | Gjykata anti-UÇK: