
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar para mediave pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Krasniqi tha para mediave se ka kërkuar nga Kurti që ta ndrrojë emrin e kandidati për kryeparlamentar.
“Për PDK është shumë e rëndësishme që të zhbllokohet kuvendi, për të ndodhur kjo i takon VV-Guxo i takon ta prezantojë emrin për kryeparlamentar. Edhe Kurtit i thash që me mendu për kandidat të tjerë ky është qëndrimi jonë nuk kemi pas qëndrim bllokues nuk na takon neve me iu zgjedh emrin. Përkundër kësaj po thojmë ejani ta votojmë një emër tjetër”, u shpreh Krasniqi.
Më tutje ai tha se posti i kryetarit të kuvendit nuk është pozicion simbolik.
“Nuk e kemi Kryetarin e Kuvendit pozicion simbolik, është shumë i rëndësishëm mund ta mbajë edhe postin e presidentit. Kjo është krejt çka kemi diskutu, nuk besoj që ka ndryshu si situatë, PDK as në të kaluarën nuk i heziton dialogut na e kemi përgjegjsinë e votuesve dhe gjithë qytetarëve”.
Sipas të parit të PDK’së Kurti nuk ka dhënë ndonjë sinjal nëse do ta ndryshojë emrin.
“Nuk më tha që ka ndryshu, nëse don të bëhet kryeministër duhet me ndrru emrin, nëse nuk e bën nuk ka vullnet ta zhbllokojë situatën. Nuk janë zgjedhjet zgjidhja e parë por janë opsion. Nuk më tha që do ta ndryshojë, nuk më dha ndonjë shenjë, un ia kërkova. Më mirë me mbajtë takime se me u sha, e me i ik dialogut”, tha Krasniqi.