Misioni paqeruajtës i NATO’s në Kosovë ka deklaruar se janë të gatshëm të veprojnë në çdo cep të territorit të Kosovës dhe se kanë “prani të dukshme”.
Kjo deklaratë vjen pasi zyrtarët qeveritarë në Kosovë po planifikojnë hapjen e Urës së Ibrit.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i shtoi gjithashtu se mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth.
“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”.
“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë homologët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht. KFOR-i ka burime të mira dhe është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja”, përfundon komunikata e KFOR-it. /Insajderi.org/