KFOR është deklaruar për Insajderin lidhur me rrëmbimin e tre policëve kosovar nga Serbia në pikën e tyre statike në fshatin Bare në Mitrovicë, gjatë ditës së djeshme.
KFOR, ka konfirmuar për Insajderin se trupat e tyre nuk ndodheshin në atë zonë në momentin e siç deklarojnë ata “arrestimit” të policëve.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ata kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve mes Kosovës e Serbisë.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm“.
Të njëjtit kanë theksuar se janë duke e zbatuar rezolutën 1244.
“KFOR-i po monitoron situatën dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ai gjithashtu vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për të çuar përpara dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, kanë thënë nga KFOR.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti tha sot se institucionet kanë prova dhe gjurmë që njësitë serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe kanë rrëmbyer policët, derisa tha se është i befasuar që KFOR ende s’ka dalë me qëndrim përkundër se ka qenë në vend të ngjarjes dhe i ka parë këto prova.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe.
E shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës.
/Insajderi