Khankan: Profeti i ka lejuar gratë të udhëheqin namazin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Khankan: Profeti i ka lejuar gratë të udhëheqin namazin

    Insajderi
    28 September 2016 - 12:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sherin Khankan është aktiviste për çështjet mylimane në Danimarkë. Ajo ka lindur nga një nënë finlandeze dhe baba sirian. Khankan është imame në një xhami në Kopenhagë. Deri më tash, adresa e kësaj xhamie nuk është zbuluar nga frika e provokimeve. Në një bisedë me Shërbimin e Gjeorgjisë të Radios Evropa e Lirë, ajo flet për përvojën e saj si udhëheqëse e një institucioni islamik.

    Radio Evropa e Lirë: Kur keni zgjedhur të bëheni myslimane? Kur keni pasur për herë të parë interesim tek Islami?

    Sherin Khankan: Unë kam lindur myslimane. Nëna ime është pajtuar që ne të jemi myslimanë, ndërsa kur të rritemi mund ta bëjmë zgjedhjen tonë. Por, unë kam lindur myslimane dhe nuk jam konvertuar. Kam qenë gjithmonë e interesuar në çështjet shpirtërore dhe kam zgjedhur të studioj fenë. Kam specializuar Islamin dhe kam studiuar edhe gjuhën arabe. Kam qenë e frymëzuar nga sufizmi, që është lëvizje shpirtërore brenda Islamit.

    Radio Evropa e Lirë: Ideja e kujt ka qenë një xhami e udhëhequr nga një grua në Kopenhagë?

    Sherin Khankan: Ka qenë ideja ime qysh në vitin 2001, pra 15 vjet më parë. Kam krijuar një shoqatë të myslimanëve në gusht të vitit 2001 dhe kam punuar për këtë qëllim me vite, nuk është që ka ndodhur brenda natës. Ka qenë e vështirë, por kur nis një lëvizje që bëhet institucion, ajo bëhet edhe më e fuqishme. Ne tashti jemi lëvizje globale dhe kemi shumë vëmendje. Por, sfida më e madhe është rekrutimi i grave imame dhe ne duam më shumë të tilla në xhaminë tonë. Aktualisht jemi vetëm dy.

    Radio Evropa e Lirë: Ju e cilësoni xhaminë tuaj si projekt feminist, që do t’iu ndihmojë grave myslimane të kenë të drejta të barabarta me burrat? A mund ta na shpjegoni më shumë?

    Sherin Khankan: Jo, nuk e cilësojmë si projekt feminist; është projekt për dijen. Ajo që di, udhëheq edhe lutjet. Qëllimi jonë kryesor është të përhapim vlera progresive të Islamit dhe brenda këtij qëllimi, Islami feminist është i rëndësishëm. Ne përqendrohemi te të drejtat e grave, por qëllim kryesor kemi përhapjen e vlerave islame. Pra, projekti nuk ka të bëjë me gjininë, por me barazinë dhe dijen.

    Radio Evropa e Lirë: A kanë gratë myslimane më pak të drejta?

    Sherin Khankan: Mendoj se gratë në të gjithë botën kanë vështirësi në aplikimin e të drejtave si burrat. Struktura patriarkale nuk është problem vetëm i Islamit. Këtë problem do ta gjeni në të gjitha fetë dhe institucionet. Ne po bëjmë përpjekje ta sfidojmë këtë dhe kjo kërkon shumë forcë, por kjo është normale. Ne kemi filluar si lëvizje dhe jemi bërë institucion.

    Radio Evropa e Lirë: Burrat kundërshtojnë udhëheqjen e grave në Islam. Çfarë thotë Kurani për të drejtat e burrave dhe grave?

    Sherin Khankan: Kurani thotë se gratë dhe burrat janë të barabartë dhe se të dyja palët duhet të fitojnë dhe përhapin dituri. Kurani nuk bën dallime kur bëhet fjalë për diturinë dhe shpërndarjen e saj. Nëse kthehemi te koha e Profetit Muhamed, xhamia e parë në botë ka qenë Xhamia e Profetit. Njerëzit kanë shkuar në shtëpinë e tij xhami për t’u lutur. Dhe, dy gratë e Profetit, Aishja dhe Umu Seleme, kanë udhëhequr lutjet për gratë e tjera në shtëpinë e tij xhami.

    Radio Evropa e Lirë: Burrat që kundërshtojnë udhëheqjen e grave në Islam thonë se nëse ato udhëheqin namazin, me lëvizjet e tyre, mund të shpërqëndrojnë burrat nga lutja. A është kjo arsyeja e vetme që janë kundër?

    Sherin Khankan: Mendoj se kjo është çështje e pushtetit. Ata (burrat) mendojnë se nëse një grua udhëheq namazin dhe mban hutbën (fjalimin), ajo do të jetë më autoritative dhe do të ndryshojë strukturën e sotme. Pra, burrat nuk duan që gratë të ndryshojnë balancën e pushtetit në kuadër të institucioneve fetare dhe të arsimit. Shpesh dëgjojmë argumente, por ato janë të paarsyshme dhe të palogjikshme. Janë argumente që bazohen në ndjenja dhe dëshira.

    Radio Evropa e Lirë: Po ju citoj juve: “qëllimi i projektit feminist është t’i jepet fund monopolit të interpretimit mashkullor të Kuranit”. A mund të ndani shembuj të këtij interpretimi, me të cilët nuk pajtoheni?

    Sherin Khankan: Besoj se janë vetëm gjashtë ajete të Kuranit që mund të interpretohen si diskriminuese ndaj grave apo në mënyra të ndryshme. Disa mendojnë se burrat janë mbi gratë, sepse intepretojnë një ajet specifik të Kuranit që thotë ashtu. Por, mund të gjeni shumë dijetarë, burra dhe gra, që e kundërshtojnë këtë, që thonë se burrat dhe gratë janë partnerë të barabartë. Por, ka ajete të ndryshme që intepretohen në mënyrë patriarkale.

    Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të rritet numri i grave që udhëheqin xhami?

    Sherin Khankan: Besoj që po. Mendoj se gratë do t’i frymëzojnë gratë e tjera. Ne kemi frymëzuar dhe jemi frymëzuar nga gra. Unë jam frymëzuar nga Amina Wadud, nga gratë myslimane progresive në Kanada, nga gratë imame në Kinë dhe nga gratë myslimane në Gjermani. I kam thënë vetes nëse ka qenë e mundur në Gjermani, Kanada, Kinë, pse jo edhe në Danimarkë?! Mendoj se edhe gratë në vendet e tjera do të mendojnë në të njëjtën mënyrë. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark