Kim Mehmeti: Shqiptarët në Maqedoni janë viktimë edhe të Shqipërisë e Kosovës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kim Mehmeti: Shqiptarët në Maqedoni janë viktimë edhe të Shqipërisë e Kosovës

    Insajderi
    03 March 2017 - 10:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov gjatë një konference për media ditë më parë tha se nuk do ta mandatojë liderin e Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së re.

    Shkak për këtë ai ka thënë se është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën ai thotë se rrënohet karakteri unitar i shtetit të Maqedonisë.

    Por për publicistin shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, këto fyerje antishqiptare nuk janë asgjë e re.

    Ai thotë se këto fyerje haptazi të bërë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë u mundësoi liderëve të Shqipërisë e Kosovës, të hiqen nga shtirja “kinse nuk kemi ditur për situatën e shqiptarëve të Maqedonisë”.

    “Për ne shqiptarët e Maqedonisë nuk ka ndodhur asgjë e re, që nuk e kemi ditur. Përfshi këtu edhe deklaratat e burrështetasve të Shqipërisë dhe  Kosovës, të cilët  tani s’kanë si të mos reagojnë, ngaqë presidenti i Maqedonisë –  duke dalë ‘burrë’ dhe hapur  pranoi antishqiptarinë e Maqedonisë –  ua hoqi atyre mbulesën që ua mundësonte të shtiren se nuk  dinë gjë për pozitën e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet”, ka thënë, Mehmeti për Insajderin.

    Edi Rama, reagoi kundër Ivanov duke i thënë se gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni.

    “Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, shkruajti Rama në Facebook.

    Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Ivanov e varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën, ligjet dhe Marrëveshjen e Ohrit.

    “Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

    Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni janë popull shtet formues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj.

    Publicisti, Mehmeti, thotë se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë viktima vetëm të qarqeve antishqiptare por edhe të Tiranës e Prishtinës, të cilat sipas tij e mbështesin politikat shqiptarë të Maqedonisë.

    “Ne nuk jemi viktimë vetëm e qarqeve antishqiptare maqedonase, por erdhe e injorantëve dhe kriminelëve partiak të BDI-së si dhe e zyrtarëve të Tiranës e Prishtinë, të cilët e mbështesnin këtë lloj politikanësh të këtushëm shqiptarë”, ka thënë Mehmeti.

    Në fund Mehmeti ka thënë se askush nuk duhet të brengoset për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni “ngaqë e prishura s’ka si prishet”./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark