Kina sistematikisht ka pamundësuar operacionet e spiunazhit të CIA-s në vend duke filluar nga viti 2010.
Sipas NY Times, këto vite janë ndër më të rëndat për spiunazhin e Qeverisë amerikane në Kinë, pasi shteti komunist në 7 vitet e fundit ka vrarë dhe ka burgosur një numër të madh agjentësh amerikanë, duke pamundësuar kështu mbledhjen e informatave nga CIA, transmeton gazetametro.net.
Brenda CIA-s po zhvillohet një debat i madh rreth shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje të spiunazhit amerikan në Kinë.
Por, të gjithë pajtohen për dëmet që Kina po i shkakton spiunëve amerikanë atje.
Zyrtarët amerikanë thonë se Kina ka vrarë ose ka burgosur 18 deri në 20 agjentë të CIA-s që po vepronin në Kinë, duke shkatërruar kështu një rrjet që kishte marrë vite deri sa ishte krijuar.
SHBA e konsideron prioritar misionin e saj të spiunimit në Kinë, por aparati shtetëror agresiv po e bën gjithnjë të vështirë nxjerrjen e lehtë të informatave nga shteti që e kërcënon primatin amerikan në ekonomi.