Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të jenë të zënë me problemet e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi për të cilin po debatohet sot gjatë tërë ditës, por kineastët e Kosovës kanë një shqetësim tjetër.
Në Kuvendin e Kosovës, sipas shumë kineastëve dhe organizatave të kineastëve në Kosovës, të ënjtën do të hidhet në votim Ligji për Kinematografi, i cili e kthen kinematografinë mbrapa.
Emra të njohur të kinematografisë, prej drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku e deri tek Shoqata e Producentëve të Kosovës kanë bërë thirrje për deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos ta votojnë Projektligjin për Kinematografi!
Ja 8 arsyet pse ky ligj, sipas kineastëve kosovar nuk bënë të votohet:
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse ka gabim në formulim të asaj se çfarë quhet vepër kinematografike vendore ( Neni 3, pika 1.7), gjë që mundëson që filmat Kosovarë, të punuar nga autorë kosovarë dhe të financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës të mos cilësohen si filma vendor por të huaj.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse Neni 51 praktikisht e lejon ndryshimin e destinacionit të kinemave, duke thënë se kinemasë mund t’i ndryshohet veprimtaria në rast se paguhet një gjobë prej 20.000 eurosh. Ju e dini se sa e lehtë është të bartet një gjobë 20.000 euro për një nëdrmarrës apo ndërtues, duke e ditur që gati të gjitha objektet e kinemave në fjalë janë në qendër të qyteteve. Ligji për kinematografi duhet ta ketë një kapitull të veçantë për rifunksionalizimin e kinemave ekzistuese dhe hapjes së kinemave të reja nëpër qytete të Kosovës dhe jo të ofrojë mundësi ligjore për zhdukjen e atyre pak kinemave që ekzistojnë tani.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse Neni 14 propozon që Kosovafilmi të shuhet e të themelohet një institucion i ri, me ç’rast të gjitha pronat (negativët e filmave kosovarë që janë prodhuar para dhe disa pas lutës) do të humben, sepse do të mbesin pa pronar. Kjo do të thotë që Kosova do të heqë dorë nga pronësia e të gjith filmave, që ka prodhuar deri më tani dhe se historia e filmit (edhe ashtu shumë e shkurtër e Kosovës) do të fillojë vetëm nga paslufta.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse nuk i mbron pronat që posedon Kosovafilmi (vendi që ne tani e njohim si “Film City” në Arbëri ). Ato prona do t’ia mohojë industrisë së fimit dhe do t’i zhvendosë diku tjetër.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse Neni 24 pika 3 në lidhje me zgjedhjen e drejtorit të QKK-së ka paragjykim lidhur me çështje që thjeshtë rregullohen me ligje të tjera.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse me Nenin 25 Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk i lejohet të mbeshtesë aktivitete plotësuese kinematografike, të cilat janë të domosdoshme për ngritjen e kapaciteteve të industrisë së filmit në Kosovë, si edukimi, rrjetëzimi, promovimi, festivalet etj.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse Neni 12 kufizon që juria vlerësuese të jetë vetëm vendore. Një kufizimi i tillë është izolim dhe mbyll mundesitë e vlerësimit të projekteve edhe nga ndonjë ekspert ndërkombëtar. Një prej arsyeve pse kinematografia Kosovare ka lulëzuar viteve të fundit me filmin SHOK, Babai, Tri dritare dhe një varje, Ballkoni, Kolonat, etj që i kanë sjellë Kosovës me qindra shpërblime ndërkombëtare, ka qenë pikërisht vlerësimi nga një juri e përzier ekspertësh kosovarë e ndërkombëtarë.
– Ky ligj nuk duhet të votohet sepse afatet për realizimin e veprës filmike (Neni 39) nuk marrin parasysh natyrën e prodhimit të filmave të pavarur në Europë dhe janë të pamundshme për t’u arritur as për producëntët më të suksesshëm të rajonit dhe të perëndimit. Mbi të gjitha këto afate nuk përputhen as me Konventën Europiane për Koproduksione, gjë që krijon pamundësi të bashkëprodhimeve me shtetet e tjera, pa të cilat kinematografia moderne nuk mund të ekzistojë.