×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    #Kinopërqytetin – aksioni për të mbrojtur kinemanë nga privatizimi

    Insajderi
    13 March 2017 - 22:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kinemaja Jusuf Gervalla u rihap këtë vit me filmin “Home”, por me gjithë entuziazmin e hapjes së kinemasë erdhi dhe një lajm i hidhur.

    Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vendosur që kinemanë e qytetit ta vendosë në procesin e likuidimit, për arsye të procedurave të papërfunduara, të cilat janë vendosur gabimisht në rend të parë.

    Tash e tetë vite Anibar kishte marrë përgjegjësi nga Komuna e qytetit të Pejës për të menaxhuar dhe rregulluar kinemanë. Dhe tani posa e kanë bërë funksionale dhe kanë përfunduar pothuajse gjithçka, vjen lajmi i hidhur nga AKP.

    Stafi i kinemasë ka filluar që të premten aksionin kundër kësaj me nënshkrime të peticionit kundër privatizimit.

    E tani kanë filluar edhe një kampanjë protestuese në rrjetet sociale me moton “Kinemaja është e qytetit!”

    Stafi i kinemasë bën thirrje për të përkrahur iniciativën për shpëtimin e kinemasë Jusuf Gërvalla nga privatizimi duke vendosur njërën nga fotot e albumit “Kinemaja është e qytetit!” në profil, në rrjetin social Facebook.

    Drejtori i Anibar, Vullnet Sanaja, ka thënë për Insajderin që janë në proces të mbledhjeve të informatave nga AKP-ja, ndërsa komuna e ka vendosur procesin në masë të përkohshme e cila e bllokon për një kohë privatizimin.

    “Për neve është shumë e çuditshme që kjo është në listën për privatizim në rend të parë, pasi kjo ka qenë për 60 vitet e fundit kinemaja e qytetit, e para asaj thuhet që këtu ka qenë e vendosur edhe vetë administrata e Komunës së Pejës,” thotë Vullnet Sanaja.

    Ai thotë që do angazhohen deri në largimin e objektit nga lista e AKP-së për likuidim, objekt ky i cili gjendet edhe në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore.

    “Ne do angazhohemi me nënshkrim të peticionit, do të angazhohemi bashkërisht me banorët e Pejës, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, me rrjetet e kulturës, për ta mbështetur iniciativën,” shprehet Sanaja.

    Sanaja tregon që programi i kinemasë do të vazhdojë çdo të Premte në ora 20.00 me programet e tematizuara, të cilat kanë për qëllim të thyerjes së apatisë qytetare përmes aktivizmit kulturor./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark