Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë dal me një reagim të ashpër ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila zgjodhi një institucion privat për të kryer një operacion.
Në një reagim të nënshkruar nga 18 kirurgë, është shprehur indinjata e tyre për anashkalimin e institucionit publik, në këtë rast Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, nga Presidentja Osmani.
“Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës, ka marr trajtim shëndetësor jashtë SHSKUK-së”, thuhet në këtë reagim.
Kirurgët kanë deklaruar tutje se operacioni për heqjen e tëmthit është një procedurë rutinë që kryhet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale që nga viti 1999 me përqindje të suksesit 99.9 për qind.
“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë”, thuhet në reagim.
Krejt në fund kirurgët i kanë uruar shërim të shpejt Presidentes Osmani duke kërkuar që në të ardhmen të mos anashkalohet sektori publik.
Mbrëmë Presidentja Vjosa Osmani ka kryer një intervenim për heqjen e tëmthit (idhzës) në spitalin privat “Aloka” në Prishtinë. /Gazeta Shneta/