
Njësitë e Policisë së Kryeqytetit kanë realizuar me sukses një aksion të befasishëm, duke vënë në pranga një 30-vjeçar të shumëkërkuar nga drejtësia.
I dyshuari, identifikuar me inicialet R.G., shtetas i Republikës së Kosovës, ishte në arrati prej kohësh, ndërsa ndaj tij rëndonin gjashtë urdhërarreste të lëshuara nga Gjykata si dhe tri kërkime aktive policore.
Operacioni është zhvilluar nga njësitë e Stacionit Policor “Qendra” në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë. Policia bëri të ditur se personi ishte në kërkim për disa vepra penale të rënda, përfshirë:
– Tentim vrasje e rëndë
– Grabitje
– Kanosje
– Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm
– Lëndim i rëndë trupor
Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të ndjekjes së tij nga drejtësia.