Një instruktor dje është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer. Prokuroria Themelore në Pejë, siç merr Insajderi ka parashtruar kërkesën për paraburgim ndaj tij.
I arrestuari është Bujar Gashi.
“Hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një auto-shkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer”, thuhej në njoftim.
Çka thuhet në kërkesën për paraburgim ndaj Bujar Gashit?
Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën për paraburgim në të cilën jepen detaje nga rasti.
Aty thuhet se Bujar Gashi, instruktor po dyshohet për dy vepra penale “Marrje e ryshfetit dhe “Ushtrim i ndikimit”.
Për këtë rast përmenden dy dëshmitar.
Me datë 27.06.2024 (dje), në hapësirat e auto-shkollës, janë ndaluar dy dëshmitar dhe instruktori.
Policia ka kontrolluar Bujar Gashin ku dhe i ka gjetur 500 euro që u dhanë nga dy dëshmitarët.
“Pasi që të dy dëshmitarët kanë dalë nga hapësirat e auto-shkollës “Trafiku”, Sektori për Hetime Financiare DHKEK-DPP-Prishtinë, kanë intervenuar dhe i kanë ndaluar dy dëshmitarët dhe të dyshuarin Bujar Gashi – Instruktor në Auto -shkollën “Trafiku” në Pejë, ku posa të njëjtit e kanë legjitimuar të dyshuarin Bujar Gashi dhe pasi që e kanë kontrolluar në xhepin e pasmë të pantallonave i është gjetur shuma e parave në vlerë prej pesëqind (500) euro, më saktësisht pesë (5) kartëmonedha me nga njëqind (100) euro“, thuhet aty.
Tutje në këtë kërkesë theksohet se dëshmitari 1 kishte dështuar dy herë në testin për patentë shoferë, dhe më pas instruktori i cili u arrestua i ka kërkuar 500 euro për ta kaluar.
“Procesverbali i marrjes në pyetje për dëshmitarin 1 dhënë në st. pol. Pejè me datën 27.06.2024 i cili ndër të tjera deklaron se si kishte dështuar dy herë në testin për patent shofer dhe më pas i pandehuri Bujar Gashi i kishte kërkuar 500€ qè t’ ia kalonte provimin duke ndikuar tek ekzamineri;
“Procesverbali i marrjes në pyetje për dëshmitarin 2 dhënë në st. pol. Pejë me datën 27.06.2024 i cili ndër të tjera deklaron se si kishte shkuar me dëshmitarin 1 tek instruktori që t’ia paguaj 500€ në mënyre që ky t’i ndihmoj ta kaloj provimin për patentë shofer”, thuhet në kërkesën e siguruar nga Insajderi.
Ky operacion po udhëhiqet nga Prokurori Ersan Qavolli.