Koalicioni për Integritet Zgjedhor (KIZ) ka njoftuar se të dielën do të monitorojë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, ku do të jenë të angazhuar 90 monitorues, prej të cilëve 72 do jenë në vendvotime, kurse pjesa tjetër do të jenë të angazhuar në ekipe vëzhguese mobile.
Ky koalicion përmes një konference për media u ka bërë thirrje qytetarëve të komunës së Drenasit që të dalin në votime, kurse subjekteve politike u kërkon maturi “dhe të mos nxisin tensione eventuale, të cilat më pas do të ndikojnë në dëmtimin e procesit elektoral”.
“Koalicioni – gjithashtu do të monitorojë nga afër edhe punën e organeve të drejtësisë që kanë mandat të sigurojnë një ambient të sigurt për realizimin e të drejtës qytetare për votim. Objektiv i monitorimit do të jetë edhe periudha post zgjedhore si: procesi i numërimit të votave në qendrën e numërimit dhe punën e PZAP-së si organ që trajton ankesat eventuale nga subjektet e përfshira në proces”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se koalicion do mbajë konferenca të rregullta në orën 09:30 dhe 17:30, për të prezantuar të dhënat nga tereni mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nëse është e nevojshme ky koalicion njofton se do të organizohen edhe konferenca të jashtëzakonshme.
“Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ”, përbëhet nga një numër i organizatave jo qeveritare si Çohu, Democracy Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), IniciativaQytetare në Skenderaj (IQS), Iniciativa për Progres (INPO) dhe CommunityBuilding Mitrovica (CBM). /Insajderi.com