Kjo është arsyeja pse LDK-ja e refuzoi Kurtin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kjo është arsyeja pse LDK-ja e refuzoi Kurtin

    Insajderi
    29 June 2022 - 11:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka refuzuar takimin me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, i cili kishte ftuar në takim liderët opozitarë për të diskutuar për çështjen e vetingut në drejtësi.

    Në një deklaratë të dhënë për Gazeta Insajderi, zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi ka theksuar se qeveria nuk e ka paraqitur me saktësi opinionin e Komisionit të Venecias.

    Prandaj, ka shtuar ajo se nuk ka hapësirë për të diskutuar në formën që ka propozuar kryeministri

    Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme”, tha ajo për Gazetën Insajderi

    Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka treguar në konferencë për media se pas ftesës që ka pranuar nga kryeministri Kurti, për tu takuar në Qeveri në lidhje me procesin e Vetingut, sot e ka ftuar për takim kryeministrin Kurti në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror ku duhet të diskutohen dhe miratohen çështjet me interes vital për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme.”, ka thënë  Krasniqi.

    Më tej, Kryetari Krasniqi ka thënë se, për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    21 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark