Hetimet për shantazhe ndaj familjes së Michael Schumacher janë duke vazhduar.
Prokuroria e Wuppertalit është duke hetuar këtë rast dhe në listën e të dyshuarve ka përfshirë një infermiere e cila ishte përgjegjëse për kujdesin e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1.
Autoritetet gjermane arrestuan tre persona këtë verë me akuzën e zhvatjes së 15 milionë eurove dhe personi i fundit që doli në këtë rast është një infermiere.
Kjo punonjëse që ishte në shërbim të familjes së Schumacher tradhtoi besimin që iu bë dhe tani ajo po kërkohet.
Fillimisht ajo ishte dashur të dëshmonte në seancën e parë, por nuk u paraqit dhe tani është bërë e dyshuar për krimin pasi një nga të pandehurit theksoi se infermierja i ndihmonte të merrnin informacione, foto dhe video që i përdornin për të shantazhuar familjen e Schumacher.
Në fillim të gjykimit, autori i dyshuar kryesor pranoi se kishte marrë nga ajo dy hard disqe me foto dhe video materiale të Schumacher dhe 15 milionë eurot duhej të ndaheshin në tri pjesë.
Kjo është arsyeja pse ka dyshime për të si bashkëpunëtore, pasi një nga punonjëset që punon për Schumachers ka theksuar se kanë dyshuar për infermieren që në momentin e parë kur ka nisur shantazhi.
Sipas prokurorisë publike janë konfiskuar 900 fotografi dhe gati 600 video incizime të familjes, si dhe dokumentacioni mjekësor i dixhitalizuar i Michael Schumacher.
Gjyqi është planifikuar të vazhdojë të hënën e ardhshme dhe vendimi nuk pritet deri në fillim të vitit 2025.