Punëtori i mishtores “Vëllezërit Fazliu” në Deçan ka këputur shuplakën e dorës përderisa ishte punuar me makinën e bluarjes. Për gjendjen e tij shëndetësore kanë folur nga QKUK.
Ai mbrëmë i është nënshtruar një operacioni e tanimë ndodhet i shtrirë në klinikën Kirurgjike Plastike. Gjendja e tij është stabile ka thënë doktoresha Dafina Rushiti-Basholli për Insajderin.
“Po ai është pranu mbrëmë, një djal i ri, prej sallës së operacionit ka dalë në gjendje stabile tanimë ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike”, konfirmoi doktoresha Rushiti-Basholli.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka filluar hetimet. Policia e Inspektorati janë autorizuar që të merren me veprimet e nevojshme.
Kështu ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi
Nikçi konfirmoi se hetimet tanimë kanë filluar e se me rastin janë duke u marrë Policia e Kosovës e Inspektorati.
“Lidhur me këtë çështje është autorizuar Policia e Kosovës dhe njëkohësisht Inspektorati i Punës që të merren me veprimet e nevojshme, njëkohësisht raportet që korrespondojnë të gjeturat të sjellën në prokurori dhe jemi duke i zhvilluar hetimet me ç’rast është iniciu vepra penale “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë vendin e punës”, tha Nikçi për Insajderin.
Pas rastit, punëtori është dërguar në Emergjencën e Deçanit. Për shkak të gjendjes serioze, viktima është transportuar më pas në Spitalin e Pejës, por ka vazhduar për në QKUK, si pasojë e lëndimit të rëndë.
Deri tani as nga mishtorja nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë.
/GazetaInsajderi