
Një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj, e cila ishte përfshirë nga flakët në Shtërpcë.
Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 06:30, dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Insajder, viktima është Momirka Toniq, një grua 75-vjeçare, e cila jetonte e vetme.
Dyshohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e problemeve me energjinë elektrike.
“Raportohet se një shtëpi është përfshirë nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar dhe fikur zjarrin. Gjatë kontrollit të shtëpisë, është gjetur viktima, e cila nuk kishte shenja jete. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.