×
  • Lajme
  • Analiza

    Kjo është historia e vërtetë e rusit që po sillet si “shef” në Prishtinë

    Insajderi
    01 November 2021 - 23:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë ditës së hënë (sot) u raportua se një nga diplomatet rusë të shpallur persona non-grata, nga presidentja Vjosa Osmani, është duke u shetitur në qendër të Prishtinës.

    Gazeta Insajderi merr vesh se në fakt, ai person është veç një shofer në zyren e Federatës Ruse në Prishtinë. Burime të Insajderit bëjnë me dije se i njëjti nuk eshte diplomat, por punonjës i zyres ndërlidhëse ruse në Kosovë.

    Sipas këtyre burimeve, dy rusët, Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev, tashmë janë zhvendosur në Beograd.

    Ndryshe, rusi Denis Vengerskii, i shpallur “non-grata”, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca, është parë gjatë ditës se djeshme në qendër të Prishtinës, vetëm 200 metra larg Qeverisë dhe Presidencës, sipas raportimit të ‘Zona Zero’.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten (22 tetor) se dy rusët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë ishin shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe ishin urdhëruar të largohen nga vendi.

    Osmani tha se i kishte kërkuar zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.

    “MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhej në një njoftim të presidentes Osmani.

    Presidentja Osmani gjithashtu theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

    “Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhej në njoftim.

    Në lidhje me këtë vendim kishte reaguar Ambasada Ruse në Beograd, duke thënë se “asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë”.

    “Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne” – thuhej në njoftimin e Ambasadës së Rusisë.

    Hapja e zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë ishte bërë në vitin 2005 nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Hapja e saj ishte bërë tre vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

    Njëri nga këta dy persona, Alexey Kryvosheev, ishte dëbuar në janar të këtiji viti edhe nga Shqipëria, për shpërfillje të masave anti Covid 19 të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

    Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, shkruante se Krivosheev kishte marrë disa paralajmërime, por “diplomati nuk ka reflektuar” dhe “vazhdoi të tregojë sjellje të pakujdesshme”.

    Sipas një raporti të mëhershëm të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera.

    Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark