×
  • Lajme
  • Lajme

    Kjo është OJQ-ja përmes të cilës mësimdhënësja nga Peja dyshohet se mashtronte qytetarët

    Insajderi
    18 September 2024 - 11:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka arrestuar Gjylfidane Morinën, me profesion mësimdhënëse. Ajo po dyshohet se në cilësinë e menaxheres së një OJQ-je ka mashtruar qytetarët duke përfituar para në mënyrë të kundërligjshme. Është kuptuar se tek xhirollogaria e mësimdhënëses ka qarkullim bankar në vlerë prej 300 mijë eurove.

    Gazeta Insajderi ka kuptuar se bëhet fjalë për Organizatën joqeveritare “Ne jemi pjesë e botës”, ku Morina figuron ta ketë pozitën e menaxheres.

    E themeluar nga e dyshuara, Gjylfidane Morina dhe Atifete Demaj e Bexhet Basha “Ne jemi pjesë e botës”, figuron të jetë e regjistruar nga viti 2005.  

    Insajderi ka provuar të kontaktojë në numrat e telefonit që figurojnë për këtë OJQ, por nuk kanë qenë të qasshëm.

    Si i mashtronte mësimdhënësja?

    Gazeta Insajderi merr vesh se e dyshuara ka mashtruar dhjetra persona, në lidhje me dokumentet për aplikim për subvencionin për bujqësi. Burimet e Insajderit bëjnë me dije se ajo ka pasur mbi 300 mijë euro qarkullim në xhirollogarinë e saj bankare.

    Sipas njoftimit të Policisë, e dyshuara gjatë periudhës kohore 2022/2024 ka mashtruar persona të ndryshëm duke ju premtuar sera të xhamit në formë të subvencionit, por që palët paraprakisht janë obliguar të paguajnë nga 300 deri 400 euro, me qëllim të sigurimit të transportit dhe montimit të tyre.

    Lidhur me rastin, Policia ka sekuestruar një laptop, një vulë, një telefon dhe disa folldera me dokumente të ndryshme (si kontrata dhe fletëpagesa:).

    E dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.

    “Prokurori i shtetit ka urdhëruar ndalimin 48 orë për të dyshuarin, – mësimdhënëse”, ka thënë ai për Insajderin.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark