Tri villa në pronësi të tre gjykatësve të Ferizajt, janë në listën e 75 pronave që janë sekuestruar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, me datën 11 tetor.
Sekuestrimi i tyre erdhi pasi që u konstatua se ato janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me ligj.
Në këtë listë janë vikend shtëpizat e tre gjykatësve Mustafë Tahirit, Bashkim Hysenit dhe Agim Maliqit. Të tretë këta gjykatës i kishin blerë parcelat në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa aty, shkruan Gazeta Insajderi.
Çfarë pasurie kanë deklaruar gjykatësit të cilëve iu konfiskuan vikend-shtëpizat?
Bashkim Hyseni, është pjesë e Sistemit Gjyqësor të Kosovës që nga viti 2016.
Ai ka deklaruar se ka ndërtuar shtëpinë malore në sipërfaqe prej 126 metra katror në vitin 2021. Ndërtimi i saj është bërë me financimin përmes kredisë për ndërtim të lëshuar nga banka në kohëzgjatje prej 48 muajve, sipas asaj që ka deklaruar Hyseni në formuarin e pasurisë në AKK.
Vlera e kësaj ville del të jetë 25 mijë euro. Ajo është ndërtuar në parcelën prej 284 metra katror e blerë në vitin 2016 në shumën prej 6 mijë eurove, shkruan Gazeta Insajderi.
Hyseni që nga e martja e 11 tetorit nuk mund ta shfrytëzoj këtë villë, pasi që shteti ia ka vënë shiritat e sekuestrimit, si pjesë e aksionit të “Brezovicës”.
Kjo nuk është prona e vetme që e posedon gjykatësi Hyseni. Ai në AKK ka deklaruar se ka edhe një banesë 125 metra katrorë, të cilën e ka blerë me mjetet e sigurura nga shitja e banesës paraprake dhe kursimeve.
E njëjta është blerë nga ai në vitin 2021, dhe kushton 55 mijë euro.
Hyseni ka deklaruar edhe një tokë të cilën po ashtu e ka blerë në vitin 2021 dhe ka vlerën e 30 mijë eurove.
Mustafë Tahiri, është pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që nga viti 2015. Tash e mbanë pozitën e kryetarit të Gjykatës në Ferizaj.
Emëri i tij, u përmend të enjtën kur edhe u publikua lista e personave të cilëve u janë sekuestruar vikend shtëpizat në aksionin e fundit në “Brezovicë”, shkruan Gazeta Insajderi.
Lidhur me këtë rast ai për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar se së fundmi kishte filluar ndërtimin e villës, të cilën ende nuk e ka përfunduar. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi, të cilën e ka marrë nga Komuna e Shtërpcës.
Tahiri, në Agjencinë Kundërkorrupsion hapësirën në të cilën kishte filluar ndërtimin e villës e ka deklaruar si oborr-mal që e ka blerë në vitin 2016 në shumën 6 mijë euro.
Sipas formuarit të Tahirit ai po ashtu ka në pronësi një shtëpi në sipërfaqe 150 metra katrorë në vlerën e 60 mijë eurove.
Përveç këtyre, Tahiri si pasuri të paluajtshme ka deklaruar edhe një oborr me sipërfaqe 944 metra katrorë që ka vlerën 90 mijë euro.
Gjykatësi Agim Maliqi, është pjesë e këshillit gjyqësor që nga viti 2008. Njësoj sikur dy kolegëve të tij gjykatës edhe atij i është sekuestruar vikend-shtëpiza në zonën II në Brezovicë.
Këtë vikënd shtëpizë në të cilën nuk ka qasje që nga 11 tetori kur shteti zbaroi për t`ia vënë shiritat, Maliqi nuk e ka deklaruar që e posedon, ani pse është i obliguar më ligj të deklaruar cdo pasuri që posedon, shkruan Gazeta Insajderi.
Kur ishte pyetur për këtë nga “Betimi për Drejtësi”, Maliqi kishte thënë se vitin e kaluar nuk ka pasur objekt por vetëm themel prandaj edhe se ka deklaruar porse villën e kishte në plan ta deklaronte për këtë vit.
Por në deklarimin e tij të pasurisë që është publikuar nga Agjencia Kundërkorrupsion, Maliqi ka në emrin e tij një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metra katrorë, në vlerën e 50 mijë eurove.
Përveç shtëpisë, si prona të paluajtshme ka deklaruar edhe dy oborre – njëra në sipërfaqe 489 metra katrorë që sipas tij ka vlerën e 50 mijë eurove, dhe tjetra në sipërfaqe prek 240 metra katrorë në vlerën e 30 mijë eurove.
Gjykatësi Maliqi, ka edhe një arë në vlerën 10 mijë euro. /Gazeta Insajderi