Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.
Në deklarimin e pasurisë në AKK, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, si të hyra vjetore, ka deklaruar pagën vjetore prej 41,339.82 euro, përderisa ajo ka pasur të hyra në formë të mëditjeve në shumën prej 1,387.50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të hyra tjera janë deklaruar në emër të bashkëshortit në shumën prej 28,036.09 euro. Si para të gatshme, Caka-Nimani ka deklaruar 5,449.43euro. Kurse, para të gatshme në shumën prej 72,327.9 euro janë deklaruar në emër të bashkëshortit.
Sa i përket paluajtshmërive, Caka-Nimani ka deklaruar shtëpi të përbashkët (340 m2) në 8 ari truall (800 m2), në vlerë prej 250,000.00 euro, e cila është blerë në vitin 2017.
Të ngjajshme
Si pasuri të luajtshme, Caka-Nimani ka deklaruar një veturë “Passat” në vlerë prej 20,000 euro, e blerë nga bashkëshorti në vitin 2018.
Në deklarimin e pasurisë, Caka-Nimani ka treguar se ka detyrime financiare personale në shumën prej 22,112.08 euro, e cila do të zgjasë deri në vitin 2026. Në po të njëjtin deklarim, evidentohet edhe detyrimi financiar i bashkëshortit në shumën prej 41,109.00, kredi personale hipotekare që do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2025.
Caka-Nimani ka deklaruar se “vlera e të hollave në llogarinë bankare të kursimeve të bashkëshortit reflekton shitjen e banesës më datë 23.02.2021 në vlerën prej 72,000.00 €. Banesa përkatëse është raportuar si pronë e paluajtshme në deklaratat paraprake të pasurisë”.
Në fund, Caka-Nimani ka treguar se përkundër faktit që dy biznese janë të regjistruara në emër të bashkëshortit në ARBK (“Ald” Sh.p.k.” dhe “Spa Bar” Sh.p.k.”), të njëjtat nuk janë funksionale që nga 2005 dhe 2009.