Këshilltarja komunale e LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Fiknete Bejta, ka vizituar sallën e Pallatit e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ku mbrëmë u zhvillua finalja e Superkupës së Kosovës në basketboll, mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Ndeshja u përshkrua me tensione në tribuna, ku të pranishëm ishin “Plisat” dhe “Torcidat” – mes tyre pastaj pati përleshje.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Bejta shkroi se dëmi sallës së basketbollit në Pallatin e Rinsë llogaritet të jetë minimumi 50 mijë euro.
“Vizituam, Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë e cila u dëmtua mbrëmë nga huliganët gjatë lojës së finales së Kupës së Kosovës. Përveç dëmeve fizike që kanë pësuar disa policë, janë dëmtuar rëndë tribunat e palestrës së vogël në Pallatin e Rinisë, dyert, xhamat mbrojtës dhe parketi. Kjo sallë është rinovuar rishtas nga NPL ”Pallati i Rinisë” dhe dëmi llogaritet të jetë minimumi 50 mijë euro” – shkroi Bejta.
Ndryshe, katër policë mbetën të lënduar pas përleshjes mes tifozëve të Sigal Prishtinës dhe Trepçës.