Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë urgjentisht skandalin me dokumente në MPJD.
Sipas raportimeve, 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve – janë humbur në postën diplomatike të Republikës së Kosovës.
Deputetja e PDK-së ka thënë se si pasojë e këtij dështimi, shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen, shumë punë do të ndërpriten, shumë shpenzime të qytetarëve tanë do të bëhen.
“Të risjellim në vëmendje vonesat e shumta për shkak të mungesës së materialit në fillim të mandatit qeveritar, pastaj vonesat me muaj të tërë të dërgimit të dokumenteve nëpër misionet tona Konsullore për shkak të mos nënshkrimit me kohë të kontratave nga Ministrja Gervalla Schëarz. Të dyja këto ngecje ndodhën me qëllim të aplikimit të kontratave njëburimore nga qeveria”, tha Musliu – Shoshi.
Sipas saj, Qeveria Kurti e do mërgatën vetëm për vota.
“Këtë e vërteton edhe skandali tjetër i cili u zbulua dje nga mediat, për ndërhyrjen e MPJD-së në organizimin e zgjedhjeve. Në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale”, ka thënë ajo.