Krimineli serb, Vojisllav Sheshel dhe Darko Mlladiq, djali i kriminelit tjetër serb, Ratko Mlladiq ishin mysafirë në programin e mëngjesit në televizionin serb, TV Prva, ku diskutuan mbi vendimin për dënimin e këtij të fundit me burgim të përjetshëm, transmeton Gazeta Express.
“Gjenerali Ratko Mlladiq tani do të jetë në një mundim edhe më të madh, veçanërisht nëse ekstradohet në një burg në Britaninë e Madhe. Britanikët kanë shprehur dëshirë të zjarrtë që ai ta vuajë dënimin atje. Kjo tregon se çfarë mendojnë ata për popullin serb në tërësi”, tha Sheshel.
Kreu i radikalëve theksoi se shpreson që Rusia të angazhohet edhe më fuqishëm për kriminelin Mlladiq.
Darko Mlladiq shpjegoi se Ratko Mlladiq ishte në gjendje të tillë që vuajtja e një dënimi në Britaninë e Madhe ose Estoni do të ishte sikur dënim me vdekje për të.
“Do të përpiqemi të dërgojmë përsëri një ekip ekspertësh mjekësorë tek ai. Unë pashë atje që në burgun hollandez ku ndodhet burgu i OKB-së, vizitat normalisht janë të lejuara. Për momentin , vetëm OKB-ja po mban disa kufizime dhe ishte e qartë për mua që nga fillimi se ata keqpërdorën koronavirusin në mënyrë që ta privonin gjeneralin Mlladiq nga konsultimet me mjekët dhe avokatët”, tha Darko Mlladiq.
Kur krimineli Vojisllav Sheshel përmendi “një dëshmitar të rremë të Hagës, gazetarin e ndjerë Dejan Anastasijevic”, nikoqirja Marija Saviq Stameniq reagoi dhe e ndërpreu udhëheqësin e radikalëve.
Ndërsa prezantuesja mbronte kolegët gazetarë, Sheshel u largua nga studioja.
“Nuk ka respekt për tradhtarët e popullit serb”. tha ai duke u larguar.