Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Shqipërisë (ShIK), Fatos Klosi ka demantuar ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ish-kryeministrin shqiptar asokohe, Pandeli Majko, rreth furnizimit me armatim të UÇK-së.
“Bile ne si parti jemi organizuar që të japim armë pa lekë, edhe pse mund të ketë ndodhur që janë blerë. Por unë i kam hapur depot që të armatoset UÇK-ja”, ka thënë Berisha.
Përderisa Berisha thotë se depot e armatimit i kishte hapur për ta armatosur UÇK-në, ish-shefi i ShIK-ut, Faton Klosi, thotë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.
Ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, ka thënë se fillimisht UÇK-ja bleu armë nga njerëz të ndryshëm në Shqipëri, kurse më vonë shteti shqiptar e bëri këtë falas.
“Faza e parë ka qenë kështu. Ka pasur një fazë tjetër që ka qenë krejtësisht ndryshme. Kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë, shteti shqiptar ndryshoi absolutisht qëndrimin në marrëdhënie me UÇK-në, dhe trajtuam ata dhe qeverinë që qe ndërtuar pas Rambujesë si partnerë të barabartë edhe në këtë çështje”, ka thënë ish-kryeministri Majko në emisionin “Zona Express”, prodhim i Gazetës Express.
Por Klosi mohon deklarimet e Majkos, duke thënë se lufta në Kosovë asnjëherë nuk u furnizua nga Shqipëria.
“Lufta në Kosovë nuk u furnizua nga Shqipëria. Është absolutisht e gabuar. Jemi përpjekur ta bëjmë këtë dhe s’e kemi bërë dot”, ka thënë Klosi.
Ish-kryeministri Pandeli Majko, insiston që qëndrimin e tij, duke shtuar se nuk është sekret të thuhet kjo.
“Nuk është sekret të thuhet se shteti shqiptar e ka ndihmuar falas me të gjithë atë që ka pasur në depot e veta”, ka shtuar Majko.
Klosi nuk heziton të thotë se ish-kryeministri po gënjen rreth të vërtetës.
“Zotëri Majko gënjen. Nuk e ka bërë asnjëherë. Bile pas fillimit të bombardimit ne jemi përpjekur që të mos hynin më njerëz në Kosovë. Problemi kishte marrë fund, dhe futja e njerëzve të armatosur në Kosovë ishte e pakuptimtë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se dy grupe të mëdha që po stërviteshin, u mbajtën në Shqipëri, duke i gënjyer se gjoja duhet të stërviteshin edhe pak, që të mos futeshin në Kosovë.
“Ishte koha kur ishte kryeministër Majko, dhe ai po ia fut kot”, ka thënë ndër tjera ai./Insajderi.com