Luka Modric do të largohet nga Real Madridi gjatë verës që vjen.
Veteranit të mesfushës do t’i skadojë kontrata me “Los Blancos” dhe palët nuk do ta vazhdojnë më bashkëpunimin.
Legjenda kroate po has në vështirësi në këtë edicion pasi trajneri Carlo Ancelotti e ka vendosur shpesh në bankën e rezervistëve, gjë e cila nuk i ka pëlqyer ish-futbollistit të Tottenhamit.
Dhe, sipas gazetarit turk Ekrem Konur, nënkampioni i botës me Kroacinë është bërë objektiv i klubeve nga Arabia Saudite dhe i atyre nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell “Gazeta Express”.
Nga liga MLS, futbollistin kreativ e pëlqejnë Inter Miami, ku do të mundë të bëhej bashkëlojtar me yjet si Lionel Messi, Luis Suarez, Sergio Busquets e Jordi Alba, por edhe Los Angeles Galaxy.
Ndërkohë, futbollistin që ka fituar gjithçka të mundshme me “Los Blancos” e duan edhe klubet nga Saudi Pro League, Al-Ahli, Al-Hilal e Al-Nassr, ku do të bëhej prapë bashkëlojtar me Cristiano Ronaldon.
Trajneri Ancelotti ka thënë se Modric e ka fituar atë status që ia jep të drejtën të vendos vetë nëse dëshiron të vazhdojë të luajë në “Santiago Bernabeu” apo të largohet për ta provuar një eksperiencë të re.