Ekziston një klub tradicional në Spanjë, Athletic Club, që krenohet me talentet vendore dhe nuk e trembin kundërshtarët me shpenzime marramendëse.
Fjala biznes në futboll është në kulmin e saj ditëve të sotme në futbollin botëror, siç është në të gjitha sferat tjera të jetës.
Ashtu siç Bayern Munich dëshiron të jetë e njohur në Azi e Australi. Barcelona, për shembull, synon të jetë brend i njohur në Lindjen e Mesme. Dhe secili klub në botë dëshiron të jetë i njohur në Shtetet e Bashkuara, apo edhe në Afrikë.
Ndërkohë, në Rajonin Bask, në veri të Spanjës, është një klub – një skuadër tetë herë fituese e La Ligës, me njëzetë e tre kupa të ligës, me paraqitje të shpeshta në ligat evropiane dhe e veçanta e këtij klubi është se asnjëherë nuk ka rënë në ligën e dytë, për dallim nga të tjerat – por me interes të vogël për tu rritur globalisht.
Nuk është se drejtuesit e Athletic Club-it nuk kërkojnë popullaritet apo sukses. Por, vetëm se prioritet për këtë klub nuk është zgjerimi global – fitimi i shumave të mëdha të parave nga sponzorizimi dhe rritja e markës së klubit në vende si Azia, Afrika apo Amerika. Ata nuk e duan këtë gjë.
Përderisa ekipet si Bayerni, Manchesteri dhe Reali kërkojnë lojtarë në të gjithë globin dhe i paguajnë ata me shuma marramendëse, politika e Athletico Bilbaos është ndryshe. Për më shumë se një shekull tek Athletic është futur në fuqi fraza e famshme dhe e thjeshtë e tyre: “Nëse nuk je nga këtu, nuk mund të luash këtu”.
Tek Athletic nuk ka brazilian të talentuar që ‘dhurojnë magji’ me talentin e tyre. Nuk ka sulmues që blihen për miliona e miliona euro. Nuk ka as veteranë me flokë të thinjur që nënshkruajnë sa për të marrë parat në fund të kontratës.
Në ndeshjen e kësaj të shtune që Athletic e zhvilloi ndaj Villarealit, në fushë kishin hedhur 8 lojtarë që ishin rritur në akademinë e këtij klubi dhe 3 të tjerë që kishin trashëgiminë Baske.
Kjo është bërë me dashje. Pavarësisht se luan në një prej ligave më të mëdha në botë dhe ku futbolli po kthehet në biznes, Athletic është në thelb, një klub lokal.
“Për ne, pjesa tjetër e skuadrave na duken si fotokopje e njëra tjetrës”, thotë Josu Urrutia, një ish-lojtar i Bilbaos dhe aktualisht presidenti i klubit.
“Në rastin tonë ekziston ende mënyra e të menduarit të një krahine të vogël. Nëse mund të gjejmë lojtarë që ta prezantojnë qytetin dhe rrethinat e saj, kjo është gjithçka që kërkojmë. Kjo nuk ka të bëjë me përfaqësimin e një skuadre ndërkombëtare, por ka të bëjë me përfaqësimin e vendit tënd”, shtoi Urrutia.
Politika e klubit bask nuk është e shkruar askund, as nuk është rregull zyrtar. Nëse drejtuesit e Bilbaos do të donin të bëheshin si fqinjët e tyre bask, Real Sociedad, të cilët marrin lojtarë nga e gjithë Spanja dhe Evropa, asgjë nuk do t’i kishte ndaluar ata.
Megjithatë Athletic Bilbao është një nga tre klubet e Spanjës që është në pronësi të anëtarëve të saj, që do të thotë se anëtarët e zgjedhin presidentin e klubit.
Dhe Urrutia thotë se në historinë e klubit, kurrë nuk ka pasur një kandidat për president që ka dashur të bënte fushatë që përmbante premtime për të ndryshuar politikën e klubit.
“Në Rajonin Bask kemi pesë ekipe profesionale të futbollit dhe popullsi prej 3 milionë banorëve,” shprehet José Maria Amorrortu, drejtori sportiv i Bilbaos. “Shumë njerëz më pyesin: ‘Si është e mundur? Por ka disa gjëra të cilave, thjeshtë, s’mund t’i jepni shpjegim. Unë mendoj se kjo është një prej tyre”.
Rajoni Bask u njoh si rajon autonom në kuadër të Spanjës në vitin 1978, gjithsesi rregulli i përzgjedhjes së lojtarëve nga Bilbao gjithashtu përfshin edhe futbollistët nga rrethina baske, siç është rasti i futbollistit Aymeric Laporte, që vjen nga jugu i Francës, Aquintana, një vend që është shumë afër kufirit zyrtar spanjoll – pra afër Bilbaos.
Pas një sezoni jo shumë të mirë vitin e kaluar, ka pasur njerëz jashtë klubit që mendonin se Athletic Bilbao duhej të sillte futbollistë të nacionaliteteve tjera në klub, por këtë e konsiderojnë si diskutim të mallkuar në klubin bask.
“Pse i duam fëmijët tanë më shumë se kushdo tjetër?”, shprehet presidenti Urrutia. “Për shkak se ata janë fëmijët tanë, natyrisht. Ne e bëjmë këtë për ta, për të mbajtur identitetin e tyre gjithmonë”, shtoi ai, derisa vijoi të fliste:
“Ne mendojmë kështu: Çdokush mund të fitojë apo të humbasë. Por, ne duam të fitojmë apo të humbasim sipas mënyrës tonë”.