
Një ditë pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, u pa duke u përplasur me një polic në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njerit, që kërkon përmbajtje nga dhuna dhe fyerjet.
“Qytetarët e Kosovës kanë qenë dëshmitarë okularë por edhe përmes mediave të shohin se si deputetë të caktuar fyejnë, kërcënojnë apo edhe iu vihen pas policëve të Kosovës të cilët në shumë raste kanë treguar durim, profesionalizëm dhe përmbajtje të skajshme përballë sjelljeve të pahijeshme dhe të papranueshme të disa deputetëve të papërgjegjshëm, mujsharë dhe arrogantë që kanë abuzuar me postin që e kanë apo me “imunitetin” që i kanë dhënë veti të veprojnë si të duan” thuhet në reagimin e KMDLNjS-së.
Po ashtu, KMDLNJ ka reaguar për dhunën e përdorur në protesta duke vecuar përdorimin e koktej molotovit.
“Forma më e rrezikshme që po përdoret kohëve të fundit është përdorimi i koktejit Molotov me të cilin u sulmua shtëpia e kryeministrit Mustafa, objekti i qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit, automjetet e policisë së Kosovës dhe vet policët e Kosovës”, thotë KMDLNj.
Kjo dhunë sipas tyre, e ka nxitur edhe reagimin e tepruar të policisë në disa raste, përfshirë edhe bastisjen e selisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Protestat e dhunshme nuk kanë të bëjnë me asgjë me të drejtat e njeriut përveç se i shkelin ato dhe si të tilla duhet të kundërshtohen. Problemet politike duhe t të zgjedhen vetëm me dialog dhe mjete politike dhe në rrethana të tilla nuk ka çështje e cila nuk do të duhej të diskutohej.”
Më 26 mars, partitë opozitare kanë thirrur protestën e radhës me kërkesë shkarkimin e Qeverisë së Kosovës. Protestat e deritashme kanë eskaluar thuajse cdo herë në dhunë./Insajderi.com